Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë për median gjermane protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe projektin e investimit në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, duke deklaruar se qeveria nuk mund të refuzojë një investim prej mbi 4 miliardë eurosh pa u përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore.
Në një intervistë për ZDF Heute, Rama u pyet mbi transparencën e projektit, rolin e shtetit dhe shqetësimet e ngritura nga aktivistët mjedisorë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë me rëndësi ekologjike.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti ndodhet ende në fazën e shqyrtimit dhe se institucionet shqiptare po zbatojnë standardet ligjore dhe mjedisore përpara se të merret çdo vendim.
“Nuk mund të themi thjesht ‘jo’ për një investim prej më shumë se katër miliardë eurosh. Dhe nëse rezultati përfundimtar do të jetë zhgënjyes, ne nuk do të vazhdojmë me të,” deklaroi Rama.
I pyetur për pretendimet se janë bërë ndryshime ligjore për të favorizuar projektin, kryeministri i mohoi këto akuza, duke theksuar se zonat e mbrojtura në Shqipëri funksionojnë sipas kategorive dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
Rama komentoi edhe protestat që prej javësh zhvillohen në Tiranë, duke u shprehur se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre.
“Ata protestojnë sepse kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Kanë shqetësimet e tyre dhe unë i respektoj,” u shpreh ai, duke shtuar se dallon mes qytetarëve që marrin pjesë në protesta dhe organizatorëve të tyre.


