Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të shtunë, duke hyrë në ditën e saj të 35-të. Në tubimin e zhvilluar në kryeqytet janë bashkuar edhe dhjetëra qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë ardhur nga diaspora për të marrë pjesë në protestë.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrësit nga diaspora u mblodhën fillimisht në Shkodër dhe më pas udhëtuan drejt Tiranës me automjete të zbukuruara me flamuj kuqezi, për t’iu bashkuar protestuesve në sheshin “Skënderbej”.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, duke brohoritur slogane si “Dorëheqje”, “Poshtë diktatura” dhe “Rama, jepe dorëheqjen”.
Me këtë rast, shumë nga protestuesit kanë sjellë në shesh torta simbolike, në të cilat shkruhen mesazhe për kryeministrin Rama.
Në tortën e një qytetari shkruhet: “Populli të uron, jep dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete”. Në një tortë tjetër shkruhet “Torta sot, dorëheqja nesër”, ndërsa një nga aktivistët tha se kjo do të jetë ditëlindja e fundit e tij si kryeminsitër.
Marshimi po zhvillohet në prani të forcave të Policisë, ndërsa deri në këto momente situata paraqitet e qetë.Pasi të mbërrijnë përpara Kryeministrisë, protestuesit pritet të mbajnë fjalime, ku do të ritheksojnë kërkesat e tyre për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës aktuale politike.


