Dy efektivë të Policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotografive të Ergys Agasit nga ambientet e brendshme të Policisë. Ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor për “shkelje të rëndë”.
Sipas Policisë së Shtetit, verifikimet kanë nisur pas publikimit të fotografive, ndërsa ende nuk është përcaktuar se kush i ka realizuar dhe si kanë dalë ato nga ambientet e institucionit.
Policia ka sqaruar se pamjet e Ergys Agasit gjatë momentit të arrestimit dhe jashtë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë realizuar nga qytetarë dhe jo nga efektivët.
Ndërkohë, në fokus të hetimit janë fotografitë e bëra brenda ambienteve të Policisë. Autoritetet po verifikojnë se kush i ka realizuar, kush i ka nxjerrë jashtë institucionit dhe nëse dy efektivët e pezulluar kanë pasur rol në këtë proces.
Policia e Shtetit thekson se materialet e siguruara për shkak të detyrës dhe të paautorizuara për publikim, nëse rezultojnë të nxjerra në mënyrë të kundërligjshme, mund të sjellin përgjegjësi.
Pezullimi i dy punonjësve është masa e parë e marrë, ndërsa hetimi disiplinor pritet të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe mënyrën se si fotografitë kanë përfunduar jashtë ambienteve të Policisë.


