Një 28-vjeçar norvegjez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Norvegjisë, është arrestuar në zonën e Plepave në Durrës.
I riu, Sebastian Templet, ishte shpallur në kërkim në prill të këtij viti, pasi autoritetet gjyqësore norvegjeze kishin lëshuar urdhër arresti ndaj tij për veprat penale “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë, në maj 2026, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arrestimi u krye nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe në kuadër të koordinimit me Interpol Tiranën dhe homologët norvegjezë.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur “Plepat”, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, S. T., 28 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji.


