Në kulmin e sezonit turistik, Plazhi i Bunecit po përballet me një situatë skandaloze. Koshat e mbeturinave janë lënë të tejmbushur prej ditësh, ndërsa mbetjet janë përhapur në zonën përreth, duke krijuar një pamje që nuk i shkon aspak një prej perlave të rivierës shqiptare.
Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e VROJTUESIT nga qytetarë dhe pushues, të cilët shprehen të revoltuar me neglizhencën e institucioneve lokale. Sipas tyre, ndërsa turistët shtohen çdo ditë, shërbimi bazë i pastrimit duket se është harruar nga Bashkia Himarë.
Pamjet tregojnë qartë koshat e stërmbushur me mbeturina, të cilat kanë përfunduar edhe jashtë tyre. Përveç ndotjes vizuale, situata krijon edhe probleme higjienike, ndërsa temperaturat e larta e bëjnë gjendjen edhe më problematike.
Qytetarët ngrenë pyetjen se si është e mundur që në mes të sezonit veror, kur promovimi i turizmit është në qendër të vëmendjes, Bashkia Himarë të mos arrijë të garantojë as pastrimin e rregullt të koshave në një plazh të frekuentuar si Buneci.
Ndërsa reklamohet turizmi elitar dhe investimet në bregdet, realiteti që përballen pushuesit është ai i mbeturinave të grumbulluara dhe mungesës së kujdesit institucional. Banorët dhe turistët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi mbeturinat prej kohësh janë kthyer problem në zonë.


