Një 52-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Borsh të Himarës, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri, të cilat përfshinë sipërfaqe me pyje dhe kullota.
Sipas Policisë, ngjarja u konstatua pas raportimit për një zjarr në zonë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë mbërritën në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe nisën veprimet për dokumentimin e rastit.
Gjatë ndërhyrjes, pranë vatrave të zjarrit u konstatua shtetasi D. Z., 52 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se kishte ndezur disa vatra zjarri.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën sipërfaqe me pyje dhe kullota, ndërsa zjarri rrezikoi edhe një banesë që ndodhej pranë zonës së përfshirë nga flakët.
Pas veprimeve hetimore, 52-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij është referuar vepra penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.


