Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka shqyrtuar këtë të martë, 15 shtator, çështjen që lidhet me masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij, ndërsa çështja u shqyrtua në Dhomë Këshillimi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke bërë që Veliaj të vijojë të qëndrojë në qeli.
Vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar. Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Çështja ishte rikthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e vendimit për masën “arrest në burg” dhe argumentimin e arsyeve se përse nuk do të ishte e përshtatshme një masë tjetër më e butë.
Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen përbëhej nga Sander Simoni, në cilësinë e relatorit, si dhe Valbon Çekrezi dhe Genti Shala.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të seancës, jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë u mblodhën disa protestues, të cilët kundërshtonin mundësinë e lirimit të Veliajt. Pas vendimit, ata reaguan me thirrje kundër kryebashkiakut.
Erion Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në nëntë raste.
Ndaj Veliajt rëndojnë gjithashtu akuza për “shpërdorim detyre”, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, si dhe për mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private.
Me vendimin e marrë sot, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës.


