Një sasi prej mbi 41 kilogramësh kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë një operacioni të Policisë, ndërsa lënda narkotike dyshohet se ishte futur në një kontejner që transportonte mish pule nga Brazili.
Bëhet fjalë për 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në rreth 2 milionë euro në treg.
Lënda narkotike ishte ndarë në 37 paketime dhe ishte fshehur në kapakët e jashtëm të kontejnerit, duke u zbuluar gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga shërbimet policore.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit të koduar “Anchor 3”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e trafikimit, origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe për identifikimin e personave të përfshirë.

Njoftimi i Policisë:
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, sekuestrohen 41 kg e 350 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 2 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit, në kuadër të hetimeve për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.
Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.
Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


