Një draft-marrëveshje me 14 pika mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas viteve të tensioneve dhe përplasjeve në Lindjen e Mesme.
Sipas dokumentit të publikuar nga mediat ndërkombëtare, palët bien dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe angazhohen të mos ndërmarrin më veprime armiqësore ndaj njëra-tjetrës.
Një nga pikat më të rëndësishme të draftit parashikon rihapjen e plotë të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit brenda 30 ditëve, ndërsa SHBA do të lejojë eksportet iraniane të naftës dhe produkteve petrokimike.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një plan zhvillimi ekonomik për Iranin me financime që mund të arrijnë deri në 300 miliardë dollarë, si dhe heqjen graduale të sanksioneve ndërkombëtare dhe amerikane nëse Teherani respekton angazhimet e marra.
Në dokument, Irani përsërit se nuk do të prodhojë armë bërthamore, ndërsa çështjet që lidhen me programin e tij bërthamor do të diskutohen në negociatat për marrëveshjen përfundimtare.
Drafti parashikon që brenda 60 ditëve të arrihet një marrëveshje finale, e cila më pas do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, dokumenti ende nuk është publikuar zyrtarisht dhe mbetet e paqartë nëse versioni final do të përmbajë të njëjtën përmbajtje. Negociatat mes palëve pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar mbetet e përqendruar te zhvillimet që mund të ndikojnë ndjeshëm në sigurinë dhe stabilitetin global.


