Pas protestës së zhvilluar në Tiranë, Policia e Shtetit ka nisur procedime penale ndaj 16 personave dhe ka shpallur në kërkim edhe 2 të tjerë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në veprime që bien ndesh me ligjin gjatë tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar, personat në fjalë akuzohen për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se disa prej protestuesve kanë nxitur vijimin e tubimit edhe pas orarit të njoftuar zyrtarisht, duke dalë jashtë perimetrit të miratuar për zhvillimin e protestës.
Policia bën me dije se lëvizjet e protestuesve kanë shkaktuar bllokim të qarkullimit në disa akse të kryeqytetit, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët.
Në njoftim thuhet gjithashtu se një grup protestuesish ka hyrë në zonën e ngritur si “fan zone” në Sheshin Skënderbej, ku po zhvilloheshin aktivitete sportive. Sipas policisë, aty janë bërë thirrje për t’iu bashkuar protestës dhe janë krijuar shqetësime për rendin publik.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila pritet të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


