Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të zvogëlojë praninë e trupave në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një tregues pozitiv të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Rutte tha se zhvillimet e vitit të fundit kanë treguar një stabilizim të situatës, çka ka krijuar kushtet për rishikimin e pranisë ushtarake të KFOR-it.
Sipas tij, NATO ka ndërprerë që në muajin janar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.
“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë vitit të kaluar. Kjo është një gjë pozitive për Kosovën dhe për rajonin”, u shpreh Rutte.
Ai bëri të ditur se aktualisht KFOR-i numëron rreth 4700 trupa, ndërsa në të ardhmen prania e tij pritet të rikthehet në nivelet para vitit 2023, me një forcë prej rreth 3000 deri në 3500 ushtarësh.
Megjithatë, kreu i NATO-s theksoi se çdo vendim do të varet nga zhvillimet në terren dhe se Aleanca do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën e sigurisë.
Pavarësisht reduktimit të planifikuar, Rutte nënvizoi se misioni i KFOR-it do të mbetet i përkushtuar në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.


