Teatri dhe kinemaja shqiptare kanë humbur një nga figurat e tyre të njohura. Aktori dhe regjisori shqiptar Gjergji Lala është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Lajmi i hidhur ka prekur familjarët, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e artit, të cilët e kujtojnë Lalën si një artist me kontribut të rëndësishëm në skenën dhe ekranin shqiptar.
I lindur në Lushnjë më 6 dhjetor 1947, ai ndërtoi një karrierë të gjatë artistike, duke interpretuar role të shumta në teatër dhe kinematografi. Për dekada me radhë, Gjergji Lala u bë pjesë e disa prej projekteve më të njohura të artit shqiptar, duke lënë gjurmë te publiku me interpretimet e tij.
Një nga rolet që e identifikoi më së shumti ishte ai i Mihal Grameno në Liri a Vdekje, një interpretim që vazhdon të kujtohet edhe sot si një nga momentet më të spikatura të karrierës së tij.
Prej vitesh, aktori jetonte në Itali, ku vijoi të mbetej aktiv në projekte artistike dhe televizive, duke ruajtur lidhjen me publikun dhe profesionin që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Me ndarjen nga jeta të Gjergji Lalës, arti shqiptar humbet një emër me peshë, ndërsa kujtimi dhe veprat e tij do të mbeten pjesë e historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.


