Pas deklaratës së Koçekut, reagon avokati i familjes Bajraj: Të pabazuara dhe denigruese
Avokati i familjes Bajraj, Sokol Tahiraj, ka reaguar pas deklaratave publike të deputetes Marjana Koçeku, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova dhe cenim të reputacionit të klientëve të tij.
Përmes një deklarate, Tahiraj thekson se askush nuk mund të shpallet fajtor përmes deklaratave publike apo politike, pa një vendim të formës së prerë nga organet e drejtësisë.
Sipas tij, deklaratat e deputetes cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë dhe krijojnë një klimë paragjykimi ndaj personave të përmendur.
Avokati paralajmëron se po shqyrtohen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të klientëve të tij, përfshirë kallëzime pranë institucioneve kompetente për çdo pretendim që mund të rezultojë i pavërtetë ose shpifës.
Në fund të reagimit, ai i bën thirrje deputetes Koçeku që çdo pretendim ta paraqesë pranë organeve të drejtësisë dhe jo përmes deklaratave publike në media apo rrjete sociale.


