Qytetarët janë mbledhur këtë të mërkurë në sheshin “Skëndërbej” për të vijuar protestën në ditën e saj të 18-të kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, organizatorët kanë vendosur që grumbullimi të zhvillohet në orën 19:00 për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Pas mbledhjes në qendër të Tiranës, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke mbajtur në duar pankarta dhe flamuj. Ata kanë përsëritur thirrjet për mbrojtjen e zonës së Zvërnecit dhe kanë ftuar qytetarët t’u bashkohen protestave.
Ashtu si në ditët e mëparshme, në protestë janë parë edhe familje me fëmijë të vegjël, ndërsa pjesëmarrësit kanë theksuar se do të vijojnë kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të ndërtimit në këtë zonë.
Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksionet qytetare do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.


