Ndërsa banorët dhe turistët ankohen për ndotjen e ujërave në Himarë, Bashkia e Himarës ka zgjedhur të përqendrojë vëmendjen te një tjetër projekt që po ngre shumë pikëpyetje.
Bëhet fjalë për Gjirin e Filikurit, një nga plazhet më të paprekura dhe më të virgjëra të bregdetit shqiptar, ku bashkia e drejtuar nga Vangjel Tavo ka hapur një tender me vlerë 20.8 milionë lekë pa TVSH për ndërtimin e një infrastrukture të re aksesi.

Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Pse pikërisht Filikuri?
Nëse synimi është lehtësimi i aksesit për pushuesit, pse nuk po ndërhyhet në dhjetëra gjire të tjera të vështira përgjatë bregdetit të Himarës? Pse bashkia ka zgjedhur pikërisht plazhin që ka mbijetuar larg betonit dhe turizmit masiv falë izolimit natyror?
Dokumentet e tenderit tregojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për disa shkallë të thjeshta. Projekti përfshin gërmime në shkëmb, mure mbajtëse, betonarme, kangjella metalike dhe ndriçim LED përgjatë gjithë aksit të aksesit.
Me pak fjalë, një nga zonat më të egra dhe autentike të Rivierës shqiptare rrezikon të transformohet nga një strehë natyrore në një destinacion të gatshëm për flukse masive vizitorësh dhe interesa të tjera që mund të vijnë pas.
Dhe pikërisht këtu lind dyshimi publik.
Historia e bregdetit shqiptar ka treguar se shumë ndërhyrje kanë nisur me justifikimin e “aksesit publik”, por më pas janë shoqëruar me beach bar-e, struktura sezonale, ndërtime private dhe zaptim të hapësirave që dikur ishin të përbashkëta.
A është ky vetëm një projekt për qytetarët, apo hapi i parë për t’i hapur rrugë interesave të tjera në një nga gjiret më të lakmuara të Himarës?
Bashkia Himarë dhe Vangjel Tavo kanë detyrimin t’u përgjigjen qytetarëve me transparencë të plotë. Pse u përzgjodh Filikuri? Cili është studimi që justifikon ndërhyrjen? Çfarë garancish ekzistojnë se pas betonit nuk do të vijnë zhvillime private?
Deri në një sqarim të qartë, dyshimet mbeten. Dhe kur bëhet fjalë për një nga perlat e fundit të paprekura të bregdetit shqiptar, çdo ndërhyrje meriton vëmendje maksimale publike.
Filikuri nuk është thjesht një plazh. Është një nga vendet e pakta që ka shpëtuar nga etja për beton. Prandaj qytetarët kanë të drejtë të dinë: kujt po i bëhet gati kjo perlë?


