Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po zhvillohet në Kanionin e Gjipesë, ku dy turistë polakë kanë mbetur të bllokuar pasi kanë rënë në një greminë gjatë lëvizjes në zonën turistike.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa menjëherë pas sinjalizimit në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës. Fillimisht kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë së Himarës, por për shkak të relievit tepër të thyer dhe mungesës së aksesit, nxjerrja e turistëve nuk ka qenë e mundur.
Më pas operacioni është përforcuar me forca të FNSH-së, alpinistë të specializuar dhe një helikopter të Forcave të Armatosura, i cili është angazhuar për të ndihmuar në evakuimin e tyre nga zona e vështirë.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ekipet kanë punuar gjatë gjithë ditës për të arritur te turistët, por kushtet e terrenit dhe pozicioni ku ndodhen kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon edhe në orët e mbrëmjes, ndërsa autoritetet mbeten të angazhuara për nxjerrjen e sigurt të dy turistëve. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare mbi gjendjen e tyre shëndetësore.


