Për të 40-ën ditë radhazi, në Tiranë u zhvillua protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga organizatorët dhe aktivistët.
Gjatë protestës, aktivisti Andi Tepelena reagoi ndaj deklaratave të drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili kishte folur për review-t negative të publikuara në biznese, duke i cilësuar ato si sulme të koordinuara që dëmtojnë turizmin dhe ekonominë.
Në fjalën e tij, Tepelena e cilësoi këtë qëndrim si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes.

“Dua t’i them Hitës, në vend që të bësh këto thirrje qesharake se po kthehesh në komunizëm dixhital, do bëje mirë t’u bëje thirrje patronazhistëve që fshihen nëpër bodrume. Regjimi bën çmos të kthejë policinë kundër fjalës së lirë. Dikur përdornin spiunët, sot përdorin terrorizmin dixhital. Regjimi është në gramën e fundit dhe po përdor të gjitha metodat për të terrorizuar aktivistët, fjalën e lirë dhe qytetarët, por kjo nuk do të funksionojë”, deklaroi ai.
Një moment simbolik i protestës ishte shpërndarja e hallvës nga një grup studentësh, të cilët e lidhën këtë veprim me ditën e 40-të të protestës.
“Janë të 40-at që shqiptarët kanë vrarë frikën. Ka vdekur frika te ne, dalim për atë që mendojmë se duhet dalë dhe kështu do të bëjmë deri në fund. Ndoshta për disa mund të jetë ditë zie, por për ne është ditë gëzimi. Ju ftojmë kush do të provojë pak nga hallva që kanë përgatitur studentët”, u shpreh një prej tyre.
Protesta u zhvillua pa incidente të raportuara, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët në vazhdim.


