Nëntë persona janë arrestuar, dy të tjerë janë proceduar penalisht dhe 20 shtetas janë shpallur në kërkim pas përplasjeve gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Sipas Policisë, protestuesit dyshohet se kanë kundërshtuar dhe goditur efektivët me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe kanë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore. Mes të arrestuarve është edhe një shtetas gjerman, 23 vjeç.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar gjithashtu një 20-vjeçar, i cili dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale të vjedhjes, si dhe është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë protestës.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, 20 vjeç, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Njoftimi i policisë:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe me lëndë piroteknike, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 9 shtetas, procedohen penalisht 2 dhe shpallen në kërkim 20 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:
-u arrestuan shtetasit A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç;
-u proceduan penalisht 2 shtetas dhe u shpallën në kërkim 20 shtetas.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi E. D., 20 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon veprimet hetimore në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


