Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike në vend ka hyrë në ditën e saj të 45-të, me qytetarët që u mblodhën edhe këtë të martë në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Pasi u vendosën përpara selisë së qeverisë, protestuesit mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës së vjetër politike dhe krijimin e një qeverie teknike.
Gjatë tubimit foli edhe aktivistja Luçiana Kokaj, e cila deklaroi se protesta po merr mbështetje edhe jashtë Shqipërisë.
“Të vetmit që nuk e shohin protestën janë kryeministri dhe shërbëtorët e tij”, u shpreh ajo, duke iu referuar edhe tubimit të zhvilluar nga protestues shqiptarë në Bruksel, ku po mbahet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në javët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen deri në muajin shtator.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit pritet të zhvillojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.


