Është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi ra në ujërat e lumit Mat gjatë një aktiviteti me litar në zonën e njohur si Ura e Vashës, në Klos.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, kur i riu dyshohet se humbi kontrollin dhe përfundoi në një gropë thithëse të lumit, ku u mor nga rrjedha e fortë e ujit.
Pas një operacioni intensiv kërkimi, ku u angazhuan palombarë dhe shërbime të tjera të emergjencës, trupi i 33-vjeçarit u lokalizua dhe u nxor nga ujërat e lumit, duke i dhënë fund kërkimeve.
Autoritetet po vijojnë veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve në zona me rrezik natyror, veçanërisht pranë lumenjve dhe shkëmbinjve.


