Kuvendi i Shqipërisë është vendosur nën masa të shtuara sigurie këtë të diel, teksa do të zhvillohet seanca plenare pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së fundit para Parlamentit.
I gjithë perimetri i godinës është rrethuar me gardh metalik, ndërsa deputetët e Partisë Socialiste hynë në ambientet e Kuvendit nga hyrja anësore, në krah të Akademisë së Shkencave. Hyrja kryesore është bllokuar dhe ruhet nga forca të shumta policie.

Masat e shtuara vijnë pas përplasjeve të regjistruara në seancën e kaluar, kur protestues hodhën vezë në drejtim të deputetëve dhe tentuan të çanin kordonin e sigurisë për të hyrë në ambientet e Parlamentit.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë u përdor edhe spray lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Si pasojë e incidenteve, 20 persona u shoqëruan dhe u ndaluan, ndërsa mbetën të plagosur 9 efektivë policie dhe u lënduan 5 protestues.
Autoritetet kanë shtuar praninë e forcave të rendit për të garantuar mbarëvajtjen e seancës plenare dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve.


