Një operacion i Policisë së Kukësit kundër kultivimit të bimëve narkotike ka çuar në zbulimin e një parcele me 215 bimë të dyshuara Cannabis sativa në njësinë administrative Kalis.
Operacioni i koduar “Zabeli” u zhvillua në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur “Zabeli i Madh”, ku bimët narkotike u konstatuan të kultivuara dhe më pas u asgjësuan me djegie.
Sipas hetimeve paraprake, kultivimi i parcelës dyshohet se është kryer nga shtetasit F. R., 63 vjeç dhe M. R., 29 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Gështenjë. Të dy janë shpallur në kërkim, ndërsa Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e 63-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Në lidhje me këtë rast, është proceduar penalisht në gjendje të lirë bashkëshortja e 63-vjeçarit, V. R., 52 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po ashtu, Policia procedoi penalisht edhe S. R., me detyrë kryetar i fshatit Gështenjë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.


