Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar Teheranin me pasoja të rënda nëse nuk ndalon sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i përgjigjen çdo kërcënimi ndaj tij, duke pretenduar se ka urdhëruar një plan ushtarak në rast të një sulmi nga Irani.
“Nëse tentojnë të më vrasin, 1.000 raketa janë gati të lëshohen drejt Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë”, u shpreh presidenti amerikan.
Ndërkohë, sipas mediave amerikane, administrata Trump i ka dërguar Teheranit një ultimatum, duke kërkuar që deri në mbrëmjen e së shtunës Irani të deklarojë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar dhe se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare.
Sipas zyrtarëve amerikanë, mesazhi është përcjellë si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes ndërmjetësve rajonalë. Uashingtoni akuzon Iranin se ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit të arritur mes palëve disa javë më parë, duke vazhduar sulmet në një nga rrugët detare më strategjike të botës.
Në qendër të përpjekjeve diplomatike është takimi i zhvilluar në Muscat të Omanit mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe homologut të tij nga Omani, Badr al-Busaidi. Omani vijon të luajë rolin e ndërmjetësit në përpjekjet për uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se presin një deklaratë zyrtare nga Irani, ku të garantohet liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe ndërprerja e sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Sipas administratës amerikane, nëse Teherani nuk i përgjigjet pozitivisht ultimatumit, mund të përballet me pasoja të rënda, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten në nivele të larta.


