Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për tre vajzat e përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje, një ngjarje që shkaktoi reagim të gjerë publik pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.
Pas rivlerësimit të çështjes, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për 19-vjeçaren, e cila do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, për 15-vjeçaren është caktuar masa “arrest në shtëpi”.
Sa i përket të miturës tjetër të përfshirë në ngjarje, gjykata ka vendosur mjekim të detyruar, pasi sipas të dhënave hetimore ajo rezulton me probleme të shëndetit mendor. Sipas autoriteteve, e njëjta e mitur dyshohet se ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së saj.
Sipas informacioneve të siguruara nga hetimet, tre vajzat nuk po hetohen vetëm për dhunën ndaj bashkëmoshatares, por edhe për dyshime mbi përfshirjen në një skemë shantazhi.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se ato dyshohet se joshnin burra përmes komunikimeve në rrjetet sociale ose telefon, duke u lënë takime në hotele. Më pas, sipas hetimeve, në vendngjarje paraqitej një person tjetër, i cili fotografonte viktimat e dyshuara dhe materialet përdoreshin për t’i shantazhuar.
Në këtë skemë dyshohet se ka rënë edhe një punonjës policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja. Sipas hetimeve, efektivi nuk kishte shkuar në hotel, por ishte takuar me të vetëm në një lokal. Megjithatë, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se u përdorën për ta shantazhuar, me qëllim që të ndikonte në mbylljen e procedimit penal për dhunimin e 17-vjeçares, duke e kërcënuar se komunikimet do të publikoheshin në internet.
Për këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.


