Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, gjykata ka caktuar masa sigurie të ndryshme për 12 persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të paligjshëm të pronave.
Hetimet kanë nisur në vitin 2022, pas problematikave të konstatuara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë. Verifikimet ngritën dyshime për falsifikim dokumentesh dhe regjistrim të paligjshëm të pasurive.
Sipas Prokurorisë, skema dyshohet se është përdorur në gjashtë raste për përvetësimin e pronave në zonën kadastrale 1574, në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore në Durrës, një zonë me interes të lartë për shkak të pozicionit bregdetar.
Nga hetimet rezulton se disa persona, në bashkëpunim me punonjës të ASHK-së Durrës, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin e pronave, duke futur në arkiv dokumente të manipuluara me numra reference të dyfishta dhe duke i regjistruar më pas në regjistrat e pasurive të paluajtshme me data fiktive.
Po sipas organit të akuzës, në disa raste janë hequr fletët origjinale të regjistrave ku pronar rezultonte shteti dhe janë zëvendësuar me dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim. Disa prej këtyre pronave dyshohet se janë shitur më pas te persona të tretë për të fshehur përfitimin e paligjshëm.


