Një zjarr i madh pyjor në Los Gallardos, në provincën Almería të Spanjës juglindore, ka shkaktuar një tragjedi të rëndë, duke lënë të paktën 12 persona të vdekur dhe gjashtë të plagosur.
Sipas autoriteteve rajonale të Andaluzisë, disa prej viktimave u gjetën brenda automjeteve të përfshira nga flakët, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, megjithëse dëshmitarët dyshojnë se ai mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike.
Mes të plagosurve, një person është shtruar në spital për asfiksi nga tymi, ndërsa një tjetër ka pësuar djegie. Katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për probleme me frymëmarrjen dhe djegie të lehta.
Për shkak të flakëve, disa rrugë janë mbyllur dhe rreth 1.000 banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Mbi 150 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), vijojnë betejën për vënien nën kontroll të zjarrit.

Presidenti i Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen një “tragjedi”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Ndërkohë, Spanja dhe vendet e tjera të Evropës Jugore po përballen me një valë ekstreme të të nxehtit, me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 42 gradë Celsius. Kushtet klimatike kanë favorizuar shpërthimin e dhjetëra zjarreve pyjore edhe në Francë dhe Portugali.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin intensitetin dhe shpeshtësinë e zjarreve në rajonin e Mesdheut, duke e bërë çdo sezon veror gjithnjë e më të rrezikshëm.


