Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka realizuar fluturimin e parë zyrtar me avionin e ri Air Force One, një Boeing 747-800 i modifikuar, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari.
Avioni u përdor për udhëtimin drejt Dakotës së Veriut, ku Trump mori pjesë në një aktivitet pranë Bibliotekës Presidenciale Theodore Roosevelt. Ai e cilësoi avionin si një arsye krenarie për vendin, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndërtonin një avion si ky” dhe se amerikanët duhet të jenë krenarë për të.
Ndryshe nga Air Force One tradicional, avioni i ri është lyer me ngjyrat e preferuara të Trumpit, me pjesën e poshtme blu të errët dhe vija të kuqe e të arta. Brenda tij janë instaluar ambiente luksoze, përfshirë tapete premium, ulëse që shtrihen plotësisht, panele druri dhe detaje të personalizuara me vulën presidenciale.
Ky avion do të shërbejë si një zgjidhje e përkohshme deri në dorëzimin e dy avionëve të rinj presidencialë, të cilët pritet të hyjnë në shërbim jo më herët se viti 2028.

Megjithatë, ekspertët e aviacionit kanë ngritur pikëpyetje mbi aftësitë e tij operative. Sipas analizave, avioni nuk është pajisur me të gjitha sistemet e avancuara të mbrojtjes raketore dhe komunikimit që disponojnë avionët aktualë presidencialë, çka mund ta kufizojë përdorimin e tij kryesisht në fluturime brenda territorit amerikan.
Forcat Ajrore të SHBA-së kanë sqaruar se modifikimet u kryen në një afat shumë të shkurtër, pa cenuar standardet e sigurisë, ndërsa disa sisteme komplekse do të instalohen vetëm në flotën e re presidenciale që është ende në ndërtim.
Dhurata nga Katari ka shkaktuar gjithashtu debat në SHBA, me kritika mbi aspektin etik të pranimit të një avioni kaq të kushtueshëm nga një shtet i huaj. Trump, nga ana tjetër, ka mbrojtur vendimin duke theksuar se Katari është një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara dhe se avioni do të përfundojë më vonë në një bibliotekë presidenciale.



