Situata pranë Komisariatit nr. 4 në Tiranë është tensionuar pasditen e së mërkurës, ku një grup protestuesish u përfshi në një konflikt me drejtuesin dhe faturinon e një autobusi të linjës së Tufinës.
Ngjarja ndodhi në zonën ku ishin mbledhur qytetarë për të kërkuar lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit.
Sipas pamjeve të siguruara, pas një debati verbal mes palëve, disa protestues kanë hedhur shishe uji dhe sende të forta në drejtim të autobusit, duke krijuar momente tensioni.
Rrethanat që çuan në përplasjen mes protestuesve dhe punonjësve të transportit urban mbeten ende të paqarta, ndërsa situata u qetësua pas ndërhyrjes së personave të pranishëm.
Ngjarja vjen në vijim të tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, si edhe disa persona të shoqëruar.


