Situata jashtë Kuvendit u përshkallëzua ndjeshëm gjatë protestës së kësaj të enjteje, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit u shoqëruan me incidente, përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe arrestime.
Mes personave të shoqëruar ndodhet edhe aktivisti Altin Goxhaj, i cili u largua nga vendi i protestës i prangosur dhe i shoqëruar nga disa efektivë policie. Në momentin e ndalimit ai mbante syze mbrojtëse për t’u mbrojtur nga spraji irritues i përdorur gjatë ndërhyrjes së policisë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, numri i të shoqëruarve ka kaluar nëntë persona, ndërsa burime bëjnë me dije se ai mund të jetë edhe më i lartë.
Ndërkohë, tensionet u përshkallëzuan më tej kur protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë. Gjatë përplasjeve u dëmtua edhe një automjet i Policisë së Shtetit, të cilit iu thyen xhamat dhe u godit në mënyrë të përsëritur.
Në përgjigje të situatës, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa arrestoi disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në incidentet e dhunshme.
Protestuesit ngritën gjithashtu barrikada me gardhe metalike dhe kazanë mbeturinash, ndërsa forca të shumta policore dhe efektivë të FNSH-së vijojnë të jenë të dislokuar rreth Parlamentit për të mbajtur situatën nën kontroll.

Për momentin, Policia e Shtetit nuk ka publikuar një bilanc përfundimtar mbi numrin e të ndaluarve dhe personat e lënduar, ndërsa situata mbetet e tensionuar.


