Anglia hasi vështirësi të mëdha përballë RD Kongos, por në fund triumfoi 2-1 falë një dopiete të kapitenit Harry Kane.
Afrikanët befasuan që në minutat e para me golin e Brian Cipenga, duke kaluar në avantazh dhe duke vënë në vështirësi skuadrën e Thomas Tuchel.
“Tre Luanët” krijuan disa raste gjatë ndeshjes, por portieri Lionel Mpasi dhe mbrojtja kongoleze rezistuan për një kohë të gjatë.
Në minutën e 75-të, Kane riktheu baraspeshën me një goditje të saktë me kokë, ndërsa katër minuta para fundit realizoi edhe golin e fitores me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës.
Me këtë sukses, Anglia siguron një vend në 1/8 e finales, ku do ta presë një sfidë e fortë ndaj Meksikës, ndërsa aventura historike e RD Kongos në këtë Botëror përfundon në fazën me eliminim direkt.
Belgjika arriti një fitore spektakolare 3-2 pas kohës shtesë ndaj Senegalit, duke siguruar kalimin në raundin tjetër pas një ndeshjeje që dukej e humbur.

Senegali dominoi pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi epërsi të dyfishtë falë golave të Habib Diarra dhe Ismaïla Sarr, duke e vendosur Belgjikën në një situatë shumë të vështirë.
Megjithatë, reagimi belg erdhi në pjesën e dytë. Fillimisht Romelu Lukaku ngushtoi diferencën, ndërsa Youri Tielemans barazoi rezultatin në minutat e fundit të kohës së rregullt.
Kur ndeshja po shkonte drejt penalltive, një ndërhyrje e konfirmuar nga VAR solli penallti për Belgjikën në minutën e 125-të. Tielemans u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur përmbysjen spektakolare dhe kualifikimin e “Djajve të Kuq”.


