Tensionet e regjistruara gjatë protestës para Parlamentit kanë sjellë edhe probleme shëndetësore për disa nga pjesëmarrësit, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ekipeve të urgjencës.
Një autoambulancë ka mbërritur pranë hyrjes së Kuvendit, ku disa protestuese kanë marrë ndihmën e parë mjekësore pasi shfaqën komplikacione të lehta, të shkaktuara nga përdorimi i spraj-it djegës gjatë përplasjeve me policinë.
Për të lehtësuar ndërhyrjen e ekipeve mjekësore, forcat e policisë krijuan një kordon sigurie, duke u mundësuar protestuesve të lënduar të transportoheshin pranë autoambulancës.
Mjekët u dhanë ndihmën e parë qytetarëve që shfaqën irritim të syve dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona në gjendje të rëndë.
Situata jashtë Parlamentit mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon nën masa të shtuara sigurie dhe me praninë e forcave të rendit.


