Analisti Ilir Demaliaj ka bërë të ditur se është dhunuar paraditen e kësaj të marte në Tiranë, duke deklaruar se është sulmuar fizikisht nga dy persona pranë banesës së tij.
Në një prononcim nga spitali për emisionin “Shqipëria Live”, Demaliaj tha se ngjarja ndodhi menjëherë pasi doli nga shtëpia. Sipas tij, autorët e kanë akuzuar se kishte njoftuar policinë për një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, pretendim që ai e mohon.
Analisti u shpreh se nuk ka konflikte personale me askënd, por se ka marrë vazhdimisht kërcënime dhe se së fundmi kishte ngritur shqetësimin për parkimet që, sipas tij, bllokojnë hyrjen e banorëve në zonë.
Demaliaj deklaroi gjithashtu se sulmi ndodhi në prani të efektivëve të policisë dhe se ka bërë kallëzim për ngjarjen. Sipas tij, autorët janë identifikuar dhe po kërkohen nga policia.
Ndërkohë, autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit dhe të japin një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen.


