Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të marte në aksin Lushnjë–Berat, në afërsi të zonës së Fiersheganit, ku një automjet tip “Golf” ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit, i cili po udhëtonte drejt Beratit, ka tentuar të shmangë një përplasje pasi korsia e tij është bllokuar nga një mjet tjetër. Gjatë manovrës, automjeti është përplasur fillimisht me një mjet të parkuar anash rrugës dhe më pas është përmbysur.

Në automjet ndodheshin gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të gjithë të lënduarit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Fatmirësisht, sipas burimeve paraprake, gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


