Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Del Rio në shtetin amerikan të Teksasit, ku dy motra dhe shoqja e tyre janë arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e një gruaje 32-vjeçare pas një konflikti që përfundoi me sulm fatal me thikë.
Sipas autoriteteve, në pranga kanë përfunduar Kitty Mia Diaz (21 vjeç), Amaya Cookie Diaz (19 vjeç) dhe Kyandra Renee Faz (21 vjeç), të cilat dyshohet se sulmuan fizikisht dhe goditën me thikë Caroline Peña, duke i shkaktuar plagë fatale.
Ngjarja ndodhi jashtë banesës së Kyandra Faz, ndërsa e gjithë përleshja është regjistruar nga kamerat. Sipas hetimeve, viktima kishte mbërritur me automjet në banesë, ndërsa pak çaste më vonë mbërritën edhe dy motrat Diaz. Në video, njëra prej tyre shihet duke iu afruar 32-vjeçares me një objekt që dyshohet të ketë qenë thikë, përpara se konflikti të përshkallëzohej.
Pas sulmit, tre të dyshuarat u larguan nga vendi i ngjarjes, por u arrestuan më vonë nga policia. Hetuesit deklarojnë se, kur mbërritën në banesë, të dyshuarat kishin ndërruar rrobat dhe ishin larë, ndërsa veshjet e përdorura gjatë ngjarjes u gjetën brenda lavatriçes.
Gjykata ka caktuar një garanci prej 5 milionë dollarësh për secilën prej tyre. Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur motivin e plotë të ngjarjes dhe nuk përjashton ngritjen e akuzave të tjera.


