Një shtetase amerikane, e cila i mbijetoi aksidentit të rëndë të ndodhur në autostradën Durrës–Tiranë, ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi gjatë ngjarjes ku humbi jetën drejtuesi i furgonit dhe mbetën të plagosur disa pasagjerë.
Ajo tregon se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh.
“Sapo u zgjova, ndjeva që po dilnim nga rruga. Brenda pak sekondash u gjendëm të përmbysur në njërin krah. Pastaj njerëzit filluan të bërtisnin dhe valixhet po binin mbi ne,” u shpreh ajo.
Sipas dëshmisë së saj, pas përmbysjes kontrolloi nëse kishte pësuar lëndime dhe doli nga pjesa e pasme e mjetit, ndërsa banorët e zonës u afruan menjëherë për të ndihmuar të plagosurit dhe për t’u dhënë ujë.
Turistja tha se pasagjerët që ndodheshin në anën e majtë të furgonit pësuan dëmtimet më të rënda, ndërsa ajo kishte qenë e ulur në anën e djathtë.
E pyetur për drejtuesin e mjetit, ajo deklaroi se gjatë udhëtimit kishte vënë re një sjellje disi të pazakontë, por shtoi se nuk mund të nxjerrë përfundime mbi shkaqet e aksidentit.
Pavarësisht përvojës së rëndë, amerikania u shpreh se ruan përshtypje shumë të mira për Shqipërinë, duke theksuar se ndihet me fat që arriti të mbijetojë.


