Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim të përditësuar lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur këtë të martë në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin e Qafë Kasharit, duke saktësuar bilancin e ngjarjes.
Sipas autoriteteve, si pasojë e aksidentit ka humbur jetën vetëm drejtuesi i furgonit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Policia ka sqaruar gjithashtu se një fëmijë, i cili u transportua fillimisht në një spital privat pa shenja jete, është rikthyer në jetë falë ndërhyrjes së ekipeve mjekësore dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdes intensiv.
Ndërkohë, shefi i Urgjencës Kombëtare në Spitalin e Traumës bëri të ditur se mes të plagosurve rëndë ndodhen edhe dy shtetas të huaj, të cilët janë futur në sallën e operacionit dhe po marrin trajtim të specializuar nga ekipet mjekësore.
Në njoftimin e saj, Policia thekson se nga 15 të plagosur të raportuar fillimisht, rezulton se janë dëmtuar 12 pasagjerë të furgonit. Prej tyre, shtatë ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë të përditësuar për mediat, duke saktësuar të dhënat lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur këtë të martë në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin e Qafë Kasharit.
Në njoftim bëhet me dije se, si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i mjetit, R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Autoritetet sqarojnë gjithashtu një konfuzion të krijuar në raportimet e para, ku një fëmijë i plagosur rëndë është transportuar fillimisht në një spital privat pa shenja jete, por më pas është rikthyer në jetë nga ekipet mjekësore përmes procedurave të reanimimit. Më tej, i mituri është transferuar në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Ndërkohë, nga 15 të plagosur të raportuar fillimisht, Policia sqaron se janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë të furgonit. Prej tyre, 7 ndodhen në gjendje të rëndë dhe 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia thekson se pasaktësitë në informacionin fillestar janë krijuar për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve në disa institucione shëndetësore njëkohësisht, si publike ashtu edhe private.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe dokumentimin ligjor të rastit.


