foto ilustruese
Një incident është regjistruar këtë të diel në zonën malore të Gopeshit, në njësinë administrative Moglicë, Bashkia Maliq, ku një person dyshohet se ka rënë nga një shkëmb gjatë lëvizjes në terren.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një banor nga Gramshi, i cili kishte shkuar në mal për të mbledhur çaj mali. Gjatë qëndrimit në zonë, ai dyshohet se është rrëzuar në një pjesë të thepisur të terrenit, duke bërë që të kërkohet ndërhyrja e ekipeve të emergjencës.
Pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe forcat zjarrfikëse, të cilat po zhvillojnë operacionin e kërkim-shpëtimit në një zonë me akses të vështirë.
Autoritetet po punojnë për lokalizimin e personit dhe verifikimin e gjendjes së tij, ndërsa pritet që pas përfundimit të ndërhyrjes të jepen më shumë detaje mbi rrethanat e plota të ngjarjes.


