Projekti për krijimin e shoqërisë “Himara Invest Shpk” rikthehet sërish në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak, e cila pritet të zhvillohet ditën e hënë, më 28 prill 2026.
Nisma, e propozuar nga Bashkia Himarë, ka ngjallur debat dhe shqetësime në komunitet.
Qytetarët shprehen se krijimi i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar mund të sjellë mungesë kontrolli dhe transparence mbi menaxhimin e pronave publike dhe private në zonë.
Sipas tyre, përmes këtij modeli, vendimmarrja për asetet e rëndësishme të Himarës rrezikon të dalë jashtë mekanizmave të zakonshëm të mbikëqyrjes publike. Ata ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si do të administrohen këto prona dhe kush do të mbajë përgjegjësi direkte për vendimet e marra.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është ndryshimi i qëndrimit të këshilltarëve të opozitës. Ndërsa më herët ata ishin shprehur kundër projektit, aktualisht nuk ka reagime publike nga ana e tyre, çka ka shtuar dyshimet dhe debatet në opinionin lokal.
Gjithashtu, burime të ndryshme pretendojnë se në projektvendim është përfshirë edhe emri i administratorit të ardhshëm të shoqërisë. Sipas qytetarëve, bëhet fjalë për një person që nuk ka lidhje direkte me Himarën apo komunitetin vendas.


