Opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar pretendimet mbi një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve, të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Kërkesa, e firmosur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Sipas opozitës, Komisioni Hetimor duhet të verifikojë veprimtarinë e institucioneve shtetërore në procedurat e importit, eksportit, tranzitit, transportit dhe magazinimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe licencat dhe autorizimet e lëshuara nga institucionet përgjegjëse.
Nisma vjen pas deklaratave dhe materialeve audio të publikuara nga Ahmetaj më 7 shtator. Vetë deputetët nënshkrues theksojnë se këto materiale nuk përbëjnë fakte të provuara, por indicie që, sipas tyre, duhet t’i nënshtrohen verifikimit parlamentar.
Në kërkesë parashikohet që hetimi të përfshijë periudhën nga 1 janari 2024 deri më 7 shtator 2026, ndërsa opozita kërkon të dëgjohen një sërë drejtuesish të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, kërkohet që përpara Komisionit të dëshmojë edhe Arben Ahmetaj dhe të verifikohen materialet audio të publikuara prej tij, përfshirë origjinën, kohën e regjistrimit dhe integritetin teknik.
Opozita sqaron se Komisioni Hetimor nuk synon të përcaktojë përgjegjësi penale apo të zëvendësojë organet e drejtësisë, por të ushtrojë kontroll parlamentar dhe të verifikojë përgjegjësitë e mundshme politike dhe institucionale.
Kërkesa tashmë pritet t’i nënshtrohet procedurave parlamentare për shqyrtimin e ngritjes së Komisionit Hetimor.


