Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”, ku pas një nate të vështirë është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter, duke bërë të mundur uljen e intensitetit të flakëve.
Forcat zjarrfikëse të Lezhës, të mbështetura nga ekipet e ardhura nga Vau i Dejës dhe Tirana, kanë punuar gjatë gjithë natës për izolimin e vatrës së zjarrit, ndërsa terreni i thyer dhe era e fortë e kanë bërë ndërhyrjen tepër të vështirë.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se zjarri mbetet aktiv, por me intensitet më të ulët, ndërsa zona do të monitorohet vazhdimisht deri në shuarjen e plotë të flakëve.
Paralelisht, vijojnë edhe hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, i cili shpërtheu rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të premtes.


