Një 32-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur me një pistoletë dhe me një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Siguria” u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person lëvizte i armatosur në qytetin e Vlorës.
Si rezultat i ndërhyrjes, në lagjen “Lef Sallata” u arrestua shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.
Gjatë kontrollit në automjetin tip Audi, me të cilin ai qarkullonte, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me atë që përdor Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.


