Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në kilometrat e fundit të autostradës “Ibrahim Rugova”, pranë pikës kufitare të Morinës.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë gjashtë automjete, ndërsa si pasojë shtatë persona kanë mbetur të plagosur.
Mes të lënduarve ndodhen edhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe një fëmijë. Të gjithë janë transportuar me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku po marrin trajtim mjekësor.
Deri në këto momente nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë ofruar ndihmën e parë dhe kanë punuar për normalizimin e situatës.
Për shkak të aksidentit, njëra korsi e autostradës në drejtimin Prizren–Morinë është bllokuar, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh dhe vonesa në qarkullim. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e efektivëve në terren.
Ndërkohë, shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.


