Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Garunjas të Lushnjës, ku një 65-vjeçar ka humbur jetën teksa po punonte në tokën e tij bujqësore.
Sipas informacioneve paraprake, Besnik Hasalla ishte duke kryer punime në një ullishte në zonë kodrinore, kur mjeti bujqësor që po përdorte ka dalë nga kontrolli në një terren të pjerrët.
Pasi ka rrëshqitur në dishezë, mjeti është përmbysur duke e zënë poshtë fermerin. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 65-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.Pas njoftimit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, i cili ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.
Burime paraprake bëjnë me dije se terreni i vështirë dhe pjerrësia e zonës mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit bujqësor.
Ky është aksidenti i tretë me pasoja fatale që përfshin mjete bujqësore në zonën e Lushnjës gjatë muajve të fundit, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë gjatë punimeve në terrene të vështira


