Momente tensioni janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të premteje në afërsi të Kryeministrisë, gjatë kohës që protesta qytetare vijonte me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, incidenti ka ndodhur pranë kryqëzimit afër godinës së qeverisë, ku disa protestues janë përplasur me persona që kishin marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Partia Socialiste në Sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të saj.
Debati verbal ka degjeneruar në përleshje fizike, duke krijuar tension për disa minuta. Ndërkohë, nga organizatorët e protestës dhe pjesëmarrës të tjerë janë bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të çdo akti dhune.
Situata është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat kanë ndarë grupet e përfshira dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Pas incidentit, protesta ka vijuar normalisht.


