Një operacion i Prokurorisë ka vënë në lëvizje ish-zyrtarë të Hipotekës së Vlorës, dhe zyrat e këtij institucioni, në kuadër të hetimeve për një nga çështjet më të debatueshme të pronave në jug të vendit.
Burime bëjnë me dije se gjatë ditës së premte janë ushtruar kontrolle në banesat e disa ish-funksionarëve të Hipotekës së Vlorës, si dhe në ambientet e institucionit, për një dosje që lidhet me tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit.
Sipas kallëzimeve të depozituara nga një grup banorësh të këtyre zonave, sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dyshohet se janë përvetësuar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave të paligjshme të regjistrimit, duke dëmtuar pronarët që kishin përfituar tokën sipas ligjit 7501.
Banorët kanë depozituar kallëzime si në Prokurorinë e Vlorës, ashtu edhe në SPAK, duke ngritur akuza për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe veprimtari të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pas muajsh verifikimesh dhe mbledhjeje provash, organi i akuzës ka vendosur të kryejë kontrollet, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar përgjegjësit dhe përmasat e plota të skemës së dyshuar.
Deri tani nuk ka informacion zyrtar nëse gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente apo prova të rëndësishme për hetimin, por burime pranë çështjes bëjnë me dije se dosja mbetet aktive dhe në zhvillim.
Çfarë po ndodh me pronat në bregdetin e Vlorës dhe kush fshihet pas këtyre tjetërsimeve? Hetimet pritet të japin përgjigje në ditët në vijim.


