Franca e mbylli Grupin I në vendin e parë falë një paraqitjeje spektakolare ndaj Norvegjisë. Ousmane Dembélé ishte protagonisti absolut me një tripletë, ndërsa Désiré Doué vulosi suksesin në minutat shtesë. Norvegjezët, që kishin zgjedhur të ruanin titullarët, shënuan vetëm një herë me Thelo Aasgaard dhe tashmë do të përballen me Bregun e Fildishtë në raundin e 32 skuadrave.
Edhe Senegali dhuroi spektakël ndaj Irakut, duke triumfuar 5-0 në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund. Habib Diarra hapi serinë e golave, ndërsa Ismaila Sarr, Pape Gueye me dy gola dhe Iliman Ndiaye vulosën fitoren e thellë. Iraku luajti për pjesën më të madhe të sfidës me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Rebin Sulakës, duke e bërë edhe më të vështirë rezistencën ndaj afrikanëve.

Me këto rezultate, Franca dhe Senegali hyjnë me moral të lartë në fazën me eliminim direkt, duke konfirmuar ambiciet për të shkuar sa më larg në Botërorin 2026.

