Një operacion i Policisë së Shtetit bëri të mundur shpëtimin e dy turisteve holandeze që kishin mbetur të bllokuara në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, një prej destinacioneve më të vizituara natyrore pranë Tiranës.
Sipas autoriteteve, alarmi u dha pasi njëra prej turisteve u rrëzua gjatë ecjes dhe pësoi dëmtime në këmbë, duke e pasur të pamundur të vazhdonte rrugën. Në ndihmë të tyre u angazhuan efektivët e Policisë dhe specialistët e Policisë Alpine, të cilët arritën t’i lokalizonin dhe t’i nxirrnin nga terreni i vështirë.
Turistja e dëmtuar mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa shoqëruesja e saj u dërgua në një zonë të sigurt.
Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar gjatë eksplorimit të zonave malore dhe u kujton qytetarëve e turistëve se, në çdo rast emergjence, mund të kërkojnë ndihmë përmes numrit 112.

