Kinematografia turke është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Kadir İnanır, i cili u shua në moshën 77-vjeçare pas disa javësh në kujdes intensiv, ku po trajtohej për pneumoni dhe komplikacione të tjera shëndetësore.
Për publikun shqiptar, Kadir İnanır do të kujtohet përgjithmonë për rolin e Iljazit në filmin kult “Shamikuqja” (Selvi Boylum Al Yazmalım), një prej filmave më të dashur që u transmetua në Shqipëri gjatë viteve ’80 dhe la gjurmë te breza të tërë shikuesish.
Gjatë karrierës së tij mbi pesëdekadëshe, ai interpretoi në më shumë se 180 filma, fitoi dhjetëra çmime prestigjioze dhe u bë një nga ikonat më të mëdha të epokës së artë të kinemasë turke, të njohur si Yeşilçam.
Vitet e fundit aktori përballej me probleme serioze shëndetësore, ndërsa paraqitja e tij e fundit në ekranin e madh ishte në vitin 2019, me filmin “Kapı”.
Me ndarjen e tij nga jeta, kinemaja turke humbet një prej figurave më të rëndësishme, ndërsa publiku shqiptar i jep lamtumirën aktorit që u bë i paharrueshëm me rolin e Iljazit.

