foto ilustruese
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë natës në Fushë-Krujë, ku objektiv i sulmit ka qenë një automjet tip “Fiat”. Fatmirësisht, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse ishte vendosur pranë automjetit, ndërsa kamerat e sigurisë kanë fiksuar autorin, i cili pas vendosjes së tritolit është larguar në këmbë nga vendngjarja.
Burime hetimore bëjnë me dije se autori kishte veshur rroba të errëta, me qëllim shmangien e identifikimit nga kamerat e sigurisë. Dyshohet se sasia e tritolit ka qenë e vogël dhe është përdorur si një mesazh paralajmërues.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorit. Ndërkohë, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me motive pronësie.
Pronari i automjetit, Dervish Guni, ka deklaruar para hetuesve se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk ka dijeni për arsyet apo autorët e kësaj ngjarjeje.


