Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rikthyer në nivele të larta, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se memorandumi i armëpushimit me Teheranin “ka marrë fund”, pas shkëmbimit të sulmeve ushtarake në Lindjen e Mesme.
Duke folur për mediat, Trump u shpreh se marrëveshja nuk është më në fuqi, ndërsa përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj autoriteteve iraniane, duke i quajtur ata “llum” (“scum”).
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi se ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj goditjeve të kryera më herët nga SHBA-ja.
Sipas ushtrisë iraniane, një nga objektivat ishte edhe baza ajrore në Bahrein, ku janë të dislokuara forca amerikane.
Zyrtarë amerikanë thanë se sulmet dhe rivendosja e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës u ndërmorën si “ndëshkim” për sulmet ndaj anijeve pranë Ngushticës së Hormuzit. Pas zhvillimeve të fundit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare shënuan rritje të menjëhershme.
Përshkallëzimi i krizës pritet të dominojë diskutimet në samitin e NATO-s që po zhvillohet në Turqi. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës ka theksuar rëndësinë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, një prej kërkesave kryesore të presidentit Trump.

Ndërkohë, kryeministrja e Danimarkës përsëriti se Groenlanda “nuk është në shitje”, pasi Trump deklaroi sërish se ishulli duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.


